U nda nga jeta Françesko Solano (Francesco) (1914–1999), gjuhëtar e shkrimtar arbëresh, i njohur edhe me pseudonimin Dushko Vetmo. Lindi në Frasnitë (Frascineto) të Kalabrisë. Ndoqi studimet e larta për teologji në Itali dhe në Argjentinë. Shërbeu si famullitar për shumë vjet në Frasnitë dhe iu përkushtua njohjes dhe studimit të gjuhës, kulturës dhe letërsisë arbëreshe. Në vitin 1975, themeloi katedrën e gjuhës shqipe e më pas dhe atë të dialekteve arbëreshe në Universitetin e Kalabrisë, dhe drejtoi atje, për disa vjet, Departamentin e Gjuhësisë. Lidhi marrëdhënie të ngushta shkencore e mësimore me universitetet e institucionet shkencore të Shqipërisë e të Kosovës, si dhe me albanologë të vendeve të tjera. Françesko Solano botoi një varg studimesh rreth dialekteve dhe veprave të traditës letrare arbëreshe. Përkrahu mësimin e shqipes letrare në mjedisin arbëresh dhe lidhjet kulturore me mëmëdheun, si i vetmi mjet për mbijetesën dhe zhvillimin e traditave kulturore arbëreshe. Botoi për këtë qëllim “Manuale di lingua albanese” (1972, rishtypur 1988) dhe “Guida alla conversazione albanese” (1975). Si poet, prozator e dramaturg, i njohur me pseudonimet Paullo Illyrico e Dushko Vetmo, ka botuar një varg veprash letrare, përmbledhje me vjersha dhe shkrimet në prozë. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I. (Në fotografi: Françesko Solano)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2370.
Fotografia: © https://gazetavatra.com/tags/francesco-solano/
Përpunim grafik: AHCF




