Me porosi të Gjergj Arianitit, murgu Savia përfundoi qëndisjen e veprës “Epitafi i Gllavenicës”, një nga objektet më të rëndësishme që është ruajtur dhe ka ardhur deri në ditët tona. “Epitafi i Gllavenicës” është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar, në afërsi të Ballshit. Gjatësia e epitafit është 211 cm, aq sa gjatësia e një varri të zakonshëm, ndërsa gjerësia 114 cm. “Epitafi i Gllavenicës” është i qëndisur me fije argjendi të larë me ar e në mëndafsh të butë. Epitafi i përkiste kishës së Gllavenicës (Ballshit të sotëm). Historia e udhëtimit të epitafit zë fill që nga koha kur u qëndis nga dora e murgut Savia, më 1373, për kishën e Gllavenicës. Vite më vonë përfundoi në qilarin e një shtëpie në Ballsh, më pas në katedralen “Fjetja e Shën Mërisë” në kalanë e Beratit dhe në vitin 1981, u ekspozua në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. (Në fotografi: Epitafi i Gllavenicës)
Teksti: Pavijoni i Mesjetës dhe këndi i pashallëqeve të mëdha shqiptare, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, 2017, faqe 25–27.
Fotografia: © Muzeu Historik Kombëtar
Përpunim grafik: AHCF




