Në qytetin e Gaetës (Itali), nga përfaqësuesit e palëve u nënshkrua Traktati i Gaetës, marrëveshje aleance midis Gjergj Kastrioti – Skënderbeut dhe Alfonsit I, mbret i Aragonës dhe i Napolit. Në bazë të këtij traktati, Alfonsi I merrte përsipër t’i jepte Skënderbeut ndihmë ushtarake e financiare për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit nga pushtimi osman. Ai do të respektonte privilegjet që gëzonte gjithë Arbëria dhe do të njihte Skënderbeun si zot të tokave që do të çliroheshin me përpjekjet e përbashkëta nga sundimi osman, kurse pala shqiptare do ta njihte Alfonsin, sipas zakonit mesjetar, si kryezot, pasi ai të kishte dërguar në Shqipëri ndihma efektive kundër osmanëve. Me këtë traktat, Skënderbeu kishte për qëllim ta tërhiqte mbretërinë e Napolit në luftë. Por ndihma e dhënë nga Alfonsi ishte e pamjaftueshme dhe mbeti e tillë, prandaj edhe Skënderbeu, nga ana e tij, nuk i dërgoi Alfonsit asnjë tribut dhe nuk bëri betimin e besnikërisë kundrejt tij, siç caktohej në traktat. Marrëdhëniet qëndruan kështu në shkallën e një aleance të thjeshtë, që në fakt mbeti në letër, duke qenë se Alfonsi, pas betejës së Beratit më 1455, nuk pranoi të angazhohej në një luftë që kërkonte mjete e forca të mëdha. (Në fotografi: Foto ilustruese nga Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti, Krujë.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2735.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Idriz_Seferi
Përpunim grafik: AHCF




