Mark Ndoja

Lexo ngjarje:

Në fshatin Iballë të Pukës, lindi Mark Ndoja, shkrimtar, studiues e përkthyes. Mbetur jetim në moshën 11-vjeçare, nën kujdesin e Imzot Pietro della Pietra-s, u regjistrua në Shkodër në jetimoren e Jezuitëve. Më pas, vijoi studimet në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, në degën e studimeve klasike, ku pati profesorë Dom Ndre Mjedën, at Zef Valentinin etj. Bënte pjesë në rrethin letrar të Gjergj Fishtës, që i botoi dhe librin e parë. Me mbylljen e shkollave fetare, përfundoi Liceun në Shkodër. U emërua mësues i gjuhës dhe letërsisë në Liceun e Korçës (1938–1940) dhe në Liceun e Shkodrës (1940–1946). Që nga viti 1941, u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, si përfaqësues i nacionalistëve. U bë komunist vetëm në korrik 1944, pas vrasjes së shokut të tij, Manush Alimanit. U zgjodh deputet i Shkodrës në dy legjislaturat e para pas luftës. Më 28 janar 1947, u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Institutit të Shkencave dhe, më 1950, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më 1953, nisi dhe përndjekja ndaj tij, për kundërshtitë ndaj zbatimit të metodës së realizmit socialist dhe, sidomos, modelit sovjetik të saj. Më 1954, u shkarkua nga funksionet dhe u emërua mësues në gjimnazin “Qemal Stafa”. U arrestua më 24 qershor 1955, me akuzën “për veprimtari armiqësore kundër pushtetit”. Më 16 janar 1956, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, u dënua me 6 vjet burg, “për krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër Republikës Popullore të Shqipërisë”. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit. U lirua më 1960 dhe deri më 1964, bashkëpunoi si përkthyes i jashtëm i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Përktheu në shqip “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligerit, veprën e Horacit, “Antologji të poetëve të mëdhenj italianë”. I dërgoi një letër Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për botimin e përkthimit të “Ferrit” me rastin e 700-vjetorit të lindjes së Dantes dhe, si përgjigje, më 25 dhjetor 1964, ditën e Krishtlindjeve, u internua në ishullin e Zvërnecit. Më 1968, një ditë para se të transferohej në Berat, i ra një iktus cerebral dhe u mbajt i paralizuar në spitalin e Vlorës; më pas, për 6 muaj, në spitalin e Burgut në Tiranë. U lirua në qershor 1968. Vdiq në Tiranë, më 22 qershor të vitit 1972.

(Në fotografi: Mark Ndoja)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 33–35.

Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img