Më 1 prill 1997, në Prishtinë, u nda nga jeta poeti Fahredin Gunga (1936–1997). Lindi në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Beograd. Ka punuar arsimtar në vendlindje, gazetar te “Rilindja” dhe redaktor në redaksinë e botimeve të entit botues “Rilindja”. Ka qenë kryeredaktor i Televizionit të Prishtinës. Krijimtarinë letrare e filloi në vitet ’50, por bëri emër në fillim të viteve ’60. I përket brezit të poetëve që sollën përmbajtje, forma dhe mjete të reja shprehëse në poezinë shqipe të pasluftës. Botoi veprat: “Pëshpëritjet e mëngjesit” (1961), “Mallkimet e fjetura” (1970), “Psalmet e gurta” (1977), “Mallkimet e zgjuara” (1985) etj. Poezia e Fahredin Gungës është ekzistenciale për fatin tragjik të një njeriu. Verbi i tij poetik është lirik, dramatik, por edhe abstrakt e simbolik. (Në fotografi: Fahredin Gunga)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 797.
Fotografia: © https://www.voal.ch/
Përpunim grafik: AHCF




