Më 4 prill 2016, u nda nga jeta, në Zagreb, Zef Mirdita, historian, profesor. Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Lindi në Prizren, ku kreu dhe gjimnazin klasik. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në degën e historisë në Universitetin e Zagrebit (1965). Prej vitit 1966, pedagog në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës për lëndët histori e vjetër dhe gjuhë latine. Prej vitit 1993 punon në Zagreb. Ka kryer specializime në Itali (Universiteti i Romës) dhe në Gjermani (Hajdelberg, Munih). Krahas mësimdhënies, Zef Mirdita ka zhvilluar veprimtari kërkimore-shkencore në fushën e historisë së lashtë të Shqipërisë, e veçanërisht të dardanëve. Ka botuar monografitë: “Dardanci i Dardanija u antici”, Zagreb, 1972 (“Dardanët dhe Dardania në kohën antike”); “Studime dardane” (Prishtinë, 1979; Tiranë, 1982), “Antroponimia e Dardanisë në kohën romake” (Prishtinë, 1981), (botuar edhe gjermanisht, 1982), “Mitet dhe mitologjia në antikë” (Prishtinë, 1988), “Krishtenizmi ndër Shqiptarët” (Prizren, 1998) dhe “Religion und Kulte der Dardaner und Dardaniens in der Antike”, Zagreb, 2001 (“Feja dhe kultet e dardanëve dhe të Dardanisë në kohën antike”). (Në fotografi: Zef Mirdita)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1734.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




