Më 6 prill 1897, në Janjevë të Kosovës lindi Florian Berisha, klerik katolik, një prej firmëtarëve të Statutit të Kishës Katolike të Shqipërisë (1951). Studimet e mesme i kreu në Shkodër. Më 1919 vazhdoi studimet në Fakultetin Filozofik të Padovës. Pas një viti, për arsye shëndetësore kthehet në Shkodër, ku i ngarkojnë përgjegjësi të vogla në mësimdhënie dhe asistencë. Në vitin 1923 kreu studimet për filozofi në Romë. Një vit më vonë përfundoi vitin e katërt të magjistrit në Shkodër dhe rifilloi teologjinë në Chieri të Torinos. U kthye në Shqipëri dhe më 1929 u shugurua meshtar nga Delegati Apostolik, imzot Giovanbattista della Pietra. U arrestua në vitin 1947. U mbajt 13 muaj në qelitë e Sigurimit, duke provuar mbi vete tortura nga më çnjerëzoret, derisa gati u çmend. U arrestua sërish më 1958, por nuk u mbajt shumë, nga frika se mos u mbetej në dorë. Vitet e funditm së bashku me dom Ernest Çobën, shërbeu si famullitar ndihmës në Katedralen e Shkodrës. (Në fotografi: Florian Berisha)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 175–176.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Përpunim grafik: AHCF




