Më 7 prill 1939, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë, në portin e Durrësit luftoi heroikisht krahas detarëve të tjerë dhe ra në mbrojtje të atdheut Mujo (Cakuli) Ulqinaku (1896 –1939), dëshmor i qëndresës së armatosur kundër agresionit fashist, Hero i Popullit. Lindi në Ulqin, në familjen e një detari të varfër. Që në moshë të re hyri ndihmësdetar. Në vitin 1925, për arsye ekonomike familja e Mujo Ulqinakut u vendos në Shkodër. Në vitin 1930 shërbeu në Durrës si nënoficer në anijen patrulluese “Tirana”; në vitin 1931, pasi tërhoqi edhe familjen, hyri në punë në Rojën Mbretërore të Financës. Në vitin 1933, doli në lirim. I detyruar nga rrethanat ekonomike shërbeu dy vite në portin e Vlorës. Më pas shërbeu përsëri si nënoficer në një nënrepart (togë) të marinës në Durrës. Është dëshmori i parë i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pranë vendit ku ra dëshmor, te kulla e kështjellës së Durrësit, është vendosur busti i Mujo Ulqinakut dhe është ngritur Përmendorja e Lirisë. Emrin e Mujo Ulqinakut e mbajnë anije, shkolla, rrugë etj. (Në fotografi: Mujo Ulqinaku)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2797–2798.
Fotografia: © Familja Ulqinaku
Përpunim grafik: AHCF




