Më 9 prill 1931, në Sarandë u nda nga jeta Muharrem Rushiti (1856–1931), luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), udhëheqës çetash kryengritëse kundër sunduesve osmanë, pushtuesve grekë e italianë. Lindi në fshatin Koskë të Çamërisë. Mori pjesë që herët në lëvizjen kombëtare. Më 1902 udhëhoqi kryengritjen kundërosmane në Filat. Në vitet 1908–1912 ishte anëtar i kryesisë së shoqërisë kombëtare (klubit) “Vëllazëria” të Filatit për anën ushtarake. Më 1909 ngriti çetën e tij, e cila luftoi pa ndërprerje kundër bandave të andartëve grekë dhe kundër ushtrive osmane e greke, për çlirimin e vendit dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale. Gjatë kryengritjeve të viteve 1911–1912 bashkëveproi me çetat e Labërisë e të Mallakastrës dhe së toku me to, më 9–10 shtator 1912 çeta e tij shpartalloi bandat greke në Çukë të Sarandës. Më 1913–1914 luftoi kundër pushtuesve grekë në vijën Kolonjë-Fushëbardhë (Kurvelesh) dhe kundër kryengritësve esadistë në zonën e Vjosës, ndërmjet Fierit e Vlorës. Më 1919, së toku me Alush Takën e atdhetarë të tjerë çamë i dërgoi në emër të çamëve Konferencës së Paqes në Paris një përkujtesë, ku kundërshtohej shkëputja e Çamërisë nga trungu kombëtar shqiptar. Më 1920, me çetën e tij mori pjesë në Luftën e Vlorës. (Në fotografi: Muharrem Rushiti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2270.
Fotografia: © Maliqi B., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




