Më 11 prill 1500, në lumin Cecina, u nda nga jeta Mikel Maruli (1453–1500), humanist. Lindi në Kostandinopojë, në vitin që ky qytet ra në duart e osmanëve. Ishte biri i një familjeje arbërore nga Moreja, që do të shpërngulej në Raguzë dhe do të vendosej në Itali. Studioi në Venedik e në Padovë. Si stratiot i Venedikut luftoi kundër osmanëve, si shumë shqiptarë të tjerë. Në Napoli veproi për organizimin kundër rrezikut turk që kanoste Italinë dhe duket të ketë qenë i rrethit të djalit të Skënderbeut, Gjonit, i cili do të provonte të çlironte Shqipërinë më 1481, kur bëri një ekspeditë pa fryt. Poet e mendimtar, Mikel Maruli shkroi latinisht vepra të ndryshme, që u botuan edhe në Francë e Gjermani. Temat kryesore të tij qenë çlirimi i atdheut (Moreja), njeriu i lirë, natyra. Një nga veprat e tij, poema “De principum institutiona” (“Mbi edukatën e princërve”), konsideronte si udhëheqës të vërtetë atë që kishte veçanërisht dije. Mikel Maruli fshikulloi Paleologët e Bizantit, që nuk e mbrojtën Kostandinopojën. Ai luftoi skolastikën mesjetare dhe ushqeu idetë e përparuara të kohës. Veprat e tij kanë qenë ribotuar gjatë shekujve, deri në shekullin XX. (Në fotografi: “Mikel Maruli”, pikturë nga Sando Botticelli.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1638–1639.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Mikel_Maruli
Përpunim grafik: AHCF




