Më 11 prill 1876, në Pejë lindi Salih Gjuka (1876–1925), veprimtar i lëvizjes patriotike shqiptare, publicist, pedagog, Mësues i Popullit. Është i njohur edhe me pseudonimin Gjukë (Xhukë) Dukagjini. Kreu arsimin e lartë për drejtësi në Universitetit e Selanikut dhe u specializua më tej për gjuhës, në Stamboll dhe Paris. Në vitet e para të punës si mësues e inspektor arsimi në Manastir e Shkup (1905–1908) , u bë një ndër veprimtarët më aktivë të klubeve patriotike shqiptare “Bashkimi” të këtyre qyteteve. Më tej kryesoi shoqërinë patriotike “Lahut’ e Malësisë”, bashkëpunoi ngushtë me patriotin Fehim Zavalani për botimin e gazetës “Bashkimi i Kombit” (1909–1910) dhe e drejtoi atë në dy numrat e fundit. Ishte një nga organizatorët e Kongresit II të Manastirit (1910) dhe të “Çetës së studentëve shqiptarë të Selanikut” (1911–1912). Më 1912, mori pjesë në Kuvendin Kombëtar për Shpalljen e Pavarësisë, si delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, ku u zgjodh anëtar i Senatit të parë shqiptar. Ishte ndër kuadrot e parë të strukturës arsimore të Qeverisë së Vlorës, si drejtor i arsimit në qarkun e Beratit (1913–1914), inspektor i arsimit në qarkun e Durrësit (1919). Salih Gjuka u njoh edhe si gjuhëtar, publicist dhe etnograf. Botoi në Manastir monografinë “Shkrolaria e shqypes” (1910, ribotuar në Kosovë, më 1991). Si bashkëpunëtor në nxjerrjen e gazetës “Populli” (1915–1919) trajtoi tema patriotike, sociale e arsimore shpesh me tone polemizuese. Vdiq në Berat. Është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”. (Në fotografi: Salih Gjuka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 865–866.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Salih_Gjuka
Përpunim grafik: AHCF




