Guljem Deda

Lexo ngjarje:

Më 12 prill 1994, në Peruxhia të Italisë u nda nga jeta Guljem Deda, përkthyes. Lindi në Shkodër, më 1915, në një familje të njohur intelektuale dhe patriote. Më 1937 diplomohet në Universitetin e Padovës, në degën letërsi-filozofi. Laureohet me studimin mbi gjuhën e Cuneus Profetarum (“Çeta e profetëve”) të Pjetër Bogdanit, me vlerësimin më të lartë. I kthyer në Shqipëri, emërohet profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë greke dhe latine në gjimnazin e Shkodrës, deri më 1939. Më 1942 themelon e boton revistën “Balli i Kombit”, që e drejton deri më 1943, një revistë për rininë shqiptare me përmbajtje të zgjedhur e frymë kombëtare. Me vendosjen e sistemit komunist, i pushkatohen gjashtë pjesëtarë të familjes. Në dhjetor 1944, arrestohet e dënohet me pesë vite burg me punë të rëndë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës elektorale “për krime kundër shtetit”. Lirohet më 1950, pasi punoi në kampet e punës, dhe dërgohet në guroren e malit Tarabosh. Më 1954, arrestohet e burgoset në kampin e Shtyllasit, bashkë me 50 intelektualë të tjerë shkodranë, ku hapin kanalin Vjosë-Levan-Fier. Prej këtu izolohet në kampin e Kuçit të Vlorës. Aty nisi përkthimin e poemës epiko-heroike L’Orlando furioso të Lodovico Ariosto-s. Në kushte të pamundshme e me mungesa të mëdha, pas 17 vitesh punë të pandarë, arriti ta përkthejë shqip këtë kryevepër të letërsisë italiane prej 40 000 vargjesh. E kaloi thuajse gjithë jetën ndër burgje e kampe internimi. Më 1990 shkoi në Itali, i sëmurë dhe i sfilitur nga vuajtjet e rënda. (Në fotografi: Guljem Deda)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. II, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2013, faqe 68.

Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img