Bedri Dedja

Lexo ngjarje:

Më 13 prill 2004, në Tiranë u nda nga jeta Bedri Dedja, pedagog e psikolog, historian i arsimit shqiptar, shkrimtar, teoricien e kritik i letërsisë për fëmijë, akademik. Lindi në Korçë. Kreu studimet e larta në Institutin “Lenin”, në Moskë (1953), duke ndjekur njëkohësisht dy degë: pedagogji-psikologji dhe letërsi për fëmijë. Ka qenë pedagog dhe dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954–1957), drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës (1957–1958), kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”, i revistave “Arsimi popullor” e “Fatosi”; zëvendësministër i Arsimit dhe i Kulturës (1970–1973) etj. Është autor i botimeve shkencore pedagogjike e psikologjike: “Rrugët e perfeksionimit të sistemit të sotëm të edukatës familjare” (1966), “Shënime për historinë e mendimit pedagogjik shqiptar” (1972), “Studime për problemin e metodave të dhënies së mësimit në shkollë” (1987), “Psikologjia sociale” (1990), “Sekreti i talentit” (1998) etj.; bashkautor në tekste të psikologjisë për shkollat e larta dhe për kursin pasuniversitar, si në veprën “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar I” (2004) etj. Ndër veprat kryesore si shkrimtar i letërsisë për fëmijë, janë romanet “Kalamajtë e pallatit tim” (1972), “Met partizani” (1981), “Kacamisri rreth globit” (1993), “Një udhëtim i rrezikshëm” (1962), “Qyteti me tri kështjella” (2003); poema “Shkolla e pyllit” (1967), vëllimet “Përralla njëmbëdhjetëkatëshe” (1996); si studiues ka botuar librat “Tradita e probleme të letërsisë shqipe për fëmijë” (1971), “Shkrime mbi letërsinë për fëmijë” (1978), “Letërsia për fëmijë” (1961) etj. Për këtë veprimtari ka marrë Urdhrin e Organizatës Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë dhe të Rinj (Cyrih, 2000). Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”, ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë. (Në fotografi: Bedri Dedja)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 427–428.

Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Xhemajl Fetahaj

Në luftimet e zhvilluara në Betejën e Koshares, u vra Xhemajl Fetahaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hero i Kosovës.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img