Më 16 prill 1895, në fshatin Arbënesh pranë Zarës (Kroaci), lindi Josif Rela (1895–1966), dramaturg dhe poet. Kreu shkollën normale dhe punoi si mësues. Veprimtarinë letrare e nisi në vitet ’20; shkroi drama, komedi dhe vjersha me problematikë patriotike e shoqërore. Josif Rela i këndoi gjuhës dhe zakoneve arbëreshe, bëri thirrje që të ruheshin traditat e të parëve, shprehu pakënaqësinë ndaj realitetit të kohës. Vepra e tij më e shquar është drama “Nita” me subjekt shpërnguljen e arbëreshëve prej Shqipërisë në shekullit XVIII. Në melodramën “Martesa” pasqyrohet jeta e arbëreshëve me doket karakteristike. Krijimtaria letrare e Josif Relës u botua kryesisht në shtypin e Kosovës. Më 1968, dolën në Prishtinë dy vëllime me shkrime të tij. Më 1979, u botua në Tiranë drama “Nita”. Disa nga veprat e tij dramatike janë shfaqur në Kosovë. (Në fotografi: Josif Rela)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2229.
Fotografia: © https://diasporashqiptare.al/
Përpunim grafik: AHCF




