Më 21 prill 1999, në lagjen “Bullaj” të Prishtinës, në mbrojtje të popullit gjatë mësymjes serbe, ra Isa Kastrati (1947–1999), organizator i demonstratave masive në Prishtinë, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në Hogosht të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjilan. U diplomua në degën e gjuhës ruse në Universitetin e Prishtinës dhe u caktua asistent në atë degë. Nuk u lejua të punonte nga pushteti serb për shkak të orientimit kombëtar. Më vonë studioi për matematikë, ku arriti rezultate të larta. Punoi arsimtar në Dardani, Hogosht, Ferizaj dhe Prishtinë. Ndoqi studimet pasuniversitare dhe përgatiti temën e magjistraturës nga fusha e dialektologjisë. Ishte organizator i demonstratave në Prishtinë nga viti 1968 deri më 1989. Ndërkohë u burgos tri herë. Mbajti qëndrim dinjitoz në procesin gjyqësor që iu montua Adem Demaçit me shokë, më 1975. Në fillim të janarit 1999, pas shumë veprimtarive legale në terren, hyri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit, ku punoi si drejtues i edukimit moral në brigadën “Zahir Pajaziti”. Në fillim të marsit 1999 kaloi në brigadën “Hyzri Talla”. (Në fotografi: Isa Kastrati)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1133.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Isa_Kastrati
Përpunim grafik: AHCF




