Lindi në Tiranë, në vitin 1951. U diplomua aktor në Institutin e Lartë i Arteve (1973) dhe filloi punën në Teatrin Popullor. Kreu kursin pasuniversitar për regjisor pranë Institutit të Lartë të Arteve (1976); në vitet 1989–1991 ndoqi kurse specializimi për regjisurë në Milano e në Romë. Ka punuar si aktor dhe regjisor në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1973 pedagog i regjisurës në Akademinë e Arteve, president i Shoqatës së Aktorëve Shqiptarë (1992–1996), drejtor i Teatrit Kombëtar (2002–2003). Ka realizuar një varg rolesh në teatër, si: Sir Andre Agnecheek te “Nata e 12-të” (Shekspiri), Vladimiri te “Në pritje në Godosë” (S. Beket), Haralambakis te “Kopshti me dallëndyshe” (Babis Cikliro-pulos); si edhe në kinematografi: drejtori (“Lulëkuqe mbi mure”), koloneli (“Kolonel Bunker”), Muçoja (“Tela për violinë”). Në interpretimin aktorial të tij bie në sy një stil i ashpër realist, me përbirime të natyrës psikologjike, ku bashkëjetojnë gjithë po aq edhe përthyerjet, tonet e nuancat poetike, deri ato groteske e sarkastike. Si regjisor Agim Qirjaqi ka synuar vepra me konflikte politike e kontradikta sociale nga drama shqipe (“Lulet e shegës”, “Zonja nga qyteti”) dhe nga dramaturgjia klasike botërore (“Këngëtarja tullace”, “Fando dhe List”, “Rikardi i Tretë”, “Armiku i popullit”). Tablotë e tij i ngjajnë më shumë grafikës; sheh pak linja, kryesisht bardhë e zi, por tepër nervoze, ku ndihet trysnia dhe pështjellimi i shpirtit të njeriut në krizë. (Në fotografi: Agim Qirjaqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2185.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Agim_Qirjaqi
Përpunim grafik: AHCF




