Në Tiranë lindi Agim Sulaj, piktor dhe karikaturist. Është artisti shqiptar që në fushën e karikaturës është ndër më të vlerësuarit në konkurset ndërkombëtare. Fëmijërinë e kaloi në qytetin e Vlorës. Në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare fitoi çmimin e tij të parë në një konkurs satire të organizuar nga revista “Hosteni”, Tiranë. Sulaj ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe gjatë viteve studentore e më pas, punoi te revista shqiptare “Hosteni”. Në vitin 1990 shkoi në Ankara (Turqi), ku me veprën tij “Valixhja e emigrantit” (1989), fitoi çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hapi ekspozitë vetjake në Rimini (Itali), në Brindisi (1993), në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë (2008) etj. Në pikturat e mjeshtrit Sulaj ndihet dashuria e madhe për njeriun dhe problemet e shumta sociale të shoqërisë në përgjithësi. Artisti Agim Sulaj është pjesëmarrës në konkurset ndërkombëtare të karikaturës, duke u vlerësuar në vazhdimësi me çmime të para. (Në fotografi: Vepra e Sulajt “Rruga Siri Kodra”, Tiranë, 2019, vaj në kanavacë.)
Teksti: Ylli Drishti, 100 vjet Tirana në pikturë; 1920–2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 54.
Fotografia: © Koleksioni i autorit.
Përpunim grafik: AHCF




