Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit. Kreu gjimnazin “Sali Nivica” në qytetin e lindjes më 1981. Në vitet 1978–1987 punoi në minierën e Memaliajt, ndërsa pas një shpërfaqje të dhuntive të tij si aktor në lëvizjen teatrore amatore, fitoi të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, të cilën e mbaroi më 1991. Punoi si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në Tepelenë (1991–1993), në estradën profesioniste të Gjirokastrës (1993–1996), kurse pas vitit 1996 si artist i lirë. Agron Llaka u bë i njohur me imitimet e tij nga radhët e personaliteteve më të njohura politike të vendit dhe të tjerë, përfshi presidentin, kryeministrin, kryetarin e parlamentit, liderin e opozitës etj. Shpejt ai spikati edhe në portretizime karakteresh komike, fshatarë apo zyrtarë, të rinj apo pleq, ku janë harmonizuar me shije plastika individualizuese, gjesti shprehës, imitimi, zhargoni i të folurit, rëndom të përshfaqura në një trajtë groteske. (Në fotografi: Agron Llaka)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://sot.com.al/english/gossip/agron-llakaj-feston-sot-ditelindjen-e-gjeni-dot-sa-vjec-ben-aktori-i508646
Përpunim grafik: AHCF




