Lindi në Durrës Aishe Stari, aktore, Artiste e merituar. Kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës, në vitet 1960–1964. Filloi punë në Estradën profesioniste të Durrësit duke u bërë një nga aktoret më simpatike të kësaj trupe, si dhe në mbarë vendin. Luajti mjaft role në zhanre e lloje të ndryshme të teatrit të estradës, si: në komedi, skeçe, monologë, dialogë, pantomima, kuplete e parodi. Hijeshia skenike, lirshmëria, plasticiteti i lëvizjes, forca imituese, nuri dhe bukuria, dhuntitë për të shëmbëllyer tipa e karaktere të larmishme nga shtresat e gjera popullore, ishin disa nga cilësitë e shprehura aktoriale të saj. Aishe Stari ka mbajtur për një kohë të gjatë edhe emisionin radiofonik të përrallave për fëmijë, si interpretuese kryesore, ku nëpërmjet imitimit spikati talenti i saj i veçantë për të krijuar një galeri personazhesh nga bota e animuar e kafshëve apo tipa të ndryshëm: në profesione, në mosha, në sekse, në të folmet dialektore krahinore. Përveç skenës së estradës, të teatrit dhe të emisioneve të radios e të televizionit, ajo ka luajtur edhe në kinematografi, me disa role të vogla, si në filmat: “Fijet që priten”, “Dashuri me krismat” etj. (Në fotografi: Aishe Stari)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://albanian.cri.cn/culture/more/3104/20210531/670162.html
Përpunim grafik: AHCF




