Në Tiranë u nda nga jeta Aleksandër Lalo, kompozitor. Lindi në Tiranë, në vitin 1948. Mësimet e para në muzikë, në instrumentin e fizarmonikës, i mori nga kompozitori dhe fizarmonicisti Agim Krajka. Në vitet 1968–1972 kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve në degën teori-kompozicion, në klasën e kompozitorit Çesk Zadeja. Në këto vite krijoi dhe drejtoi formacionin orkestror pranë radio “Tiranës”, me të cilin shoqëroi këngët e anketave muzikore. Në vitin 1970 filloi punë si redaktor muzike në Radio Televizion, duke qenë në të njëjtën kohë kompozitor në Estradën e Shtetit. Mori pjesë në festivalin IX të këngës në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Shoqja e bankës” (1970). Në festivalin XI konkurroi me këngën “Vajza dhe kompozitori” (1972) dhe ishte njëkohësisht dirigjent i formacionit orkestror. Në vitin 1980 u emërua kompozitor në Estradën e Tiranës ku punoi deri më 2000. Spikati për individualitetin e tij, melodikën e frymëzuar, harmonizimin e natyrshëm të poezisë me muzikën, tematikën e pasur dhe të larmishme. Aleksandër Lalo ka kompozuar muzikën e disa filmave, si “Dimri i fundit” (1976), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Vajzat me kordele të kuqe” (1978), “Emblema e dikurshme” (1979). Krijimtaria në këtë zhanër u karakterizua nga qartësia e figurës artistike, zbërthimi në planin emocional i çasteve më të rëndësishme të subjektit, prej ku portretizimet e personazheve dhe përshkrimet e ngjarjeveparaqiten në përputhje të plotë me dramaturgjinë e filmit. (Në fotografi: Aleksandër Lalo)
Teksti: Klement Kole
Fotografia: © https://sot.com.al/kultura-intervista/aleksand%C3%ABr-lalo-krijimtaria-muzikore-po-%C3%A7alon-krijuesit-e-rinj-nuk-kan%C3%AB-krijuar
Përpunim grafik: AHCF




