Në Vlorë lindi Ali Asllani, poet. Lindi në një familje me origjinë nga fshati Vajzë. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, ndoqi gjimnazin “Zosimea” në Janinë dhe kreu studimet e larta në Stamboll në Institutin e Shkencave Administrative, Politike e Shoqërore. Pas diplomimit (1906), iu kushtua karrierës administrative, fillimisht në administratën e Perandorisë Osmane e pas 28 nëntorit 1912, në shërbim të shtetit shqiptar. Ka qenë kryetar i Bashkisë së Vlorës në vitet 1918–1920 e më pas 1934–1939. Ka kontribuar edhe në shërbimet diplomatike, si konsull në Trieste, në Sofje e më pas, si ministër i ngarkuar në shtetin grek. Pas çlirimit ishte një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Punoi si përkthyes për disa vjet. Ali Asllani nisi të vjershërojë fillimisht në turqisht (kur ishte në Janinë). Më pas shkroi edhe vjersha dashurie e trimërie në shqip. Që nga 1914 shkroi poezi atdhetare me frymë liridashëse, në të cilat ndihen fort tonet e këngës labe. Botoi disa nga këto vjersha (“Dasma”, “Fshati Vajzë”, “Gjoni”, “Flamuri”, “Ismail Qemali” etj.) në të përkohshmet shqiptare. Poezitë e tij të dashurisë përshkohen nga një tis i hollë humori të shëndetshëm (“Zonja Lu”) dhe nga një frymë përdëllimi e lektisjeje përballë hireve femërore (“Gugu-gugu-guguftu”, “Vishet meni, zhvishet vasha” etj). Vepra që e bëri të njohur në letërsinë shqipe është poema “Hanko Halla” (Tiranë, 1942). Ajo pati një pritje të veçantë nga lexuesi, jo vetëm për tematikën origjinale, por edhe për humorin dhe freskinë e vargut e të figuracionit të gjallë. Poema trajton motivin e përplasjes së botës së vjetër patriarkale me të renë, modernen. Poema u vlerësua për gdhendjen e karakterit artistik të Hanko Hallës dhe për stilin popullor të rrëfimit. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1960. (Në fotografi: Ali Asllani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 136.
Fotografia: © https://www.teksteshqip.com/ali-asllani
Përpunim grafik: AHCF




