Në Tiranë lindi Ali Bega, aktor. Filloi punë si aktor në teatrin “A. Moisiu” të Durrësit, më 1965, ku vazhdoi gjer në vitin 1992. Nga ky vit u emërua pedagog i lëndës “Teknika e fjalës” në Akademinë e Arteve, të cilën e dha gjer në vitin 1998, kohë kur edhe emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1995–1998 ka qenë shef i departamentit të aktrimit. Ka realizuar mbi 100 role kryesore e të dyta. Spikati qysh me rolin e Vehipit në dramën “Familja e peshkatarit” e S. Pitarkës, më 1965. Ndër realizimet e tij interesante ishte Sherafi në dramën “Dorina të Teodor Laços”, më 1984, ku operoi në rrafshet e sarkazmit duke e bërë të dukshëm meskinitetin, arrogancën dhe panikun e zyrtarit të korruptuar. Në këtë kahje ai erdhi nga viti në vit duke plotësuar fizionominë e aktrimit të tij, posaçërisht me figura karakteriale që kishin mbartje negative. Ali Bega ka një shqiptim të qartë, përshtatet mirë me sjelljen dhe dialogun e zhvilluar me të tjerët. Parapëlqen dykuptimësitë, nëntekstet, zhbirilimet dhe hetimin. (Në fotografi: Ali Bega)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://www.facebook.com/102599678709148/posts/ali-bega/283465487289232
Përpunim grafik: AHCF




