Në Elbasan u vra Alush Lleshanaku, nacionalist. Lindi në fshatin Bradashesh të Elbasanit, në vitin 1913. Mësimet e mesme i kreu në “Normalen” e Elbasanit, kurse të lartat në shkollën “La Farnesina”, Romë, nga e cila mori diplomën e mësuesit të edukatës fizike. Pas kthimit në Shqipëri punoi si profesor i edukimit fizik në gjimnazin e Shkodrës. Në 4 prillin e vitit 1939, në qytetin e Shkodrës u shpërnda një trakt prej nacionalistëve të qytetit, ku flitej qartë se po përgatitej pushtimi i Shqipërisë. Në këtë grup nacionalistësh, së bashku me Zef Palin dhe Jup Kazazin, bënte pjesë edhe Alush Lleshanaku. Për këtë arsye, pas pushtimit italian, ai u pushua nga puna se “pat përhapur frymë antiitaliane ndër nxënësit e vet”. U kthye në Elbasan. Më 1941 u emërua nëpunës federal i Qarkut të Elbasanit. Në fund të vitit 1942 ra në kontakt me organizimet e para ushtarake nacionaliste dhe, pa kaluar shumë kohë, krijoi çetën e vet, që u bë e njohur për veprimtarinë e saj antifashiste në fshatrat Bradashesh, Balter, Belsh, Labinot e Peqin. Në verën e vitit 1943 sulmoi dhe mori garnizonin italian të qytetit. Në shtator 1943, në bashkëpunim me çetën nacionalçlirimtare “Dajti” organizoi një pritë kundër një autokolone gjermane që vinte nga Elbasani. Pas 29 nëntorit 1944, bashkë me kapedan Mark Gjon Marku dhe Halil Alinë vazhdoi luftën kundër forcave komuniste. Pas shumë aksioneve të kryera, më 16 dhjetor të vitit 1946 kaloi kufirin me Greqinë. Më 12 janar 1947 arriti në Athinë, e prej këtu u bashkua me krerët e tjerë shqiptarë, që ndodheshin në Pire. Në 1949 zbriti me parashutë në Mirditë, për të riorganizuar forcat nacionaliste, që vepronin ende në malet e Shqipërisë së Veriut. U vra nga sigurimi më 24 dhjetor 1950, në një shtëpi në qytetin e Elbasanit. Trupi i tij u mor në fshehtësi dhe u balsamos nga Ibrahim Dervishi për t’u ekspozuar disa ditë më vonë gjoja si i vrarë në “betejën” e urës së Paprit. (Në fotografi: Alush Lleshanaku)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 139–140.
Fotografia: © https://blokukombetarindependent.com/alush-lleshanaku/
Përpunim grafik: AHCF




