Në Kuçovë lindi Anastas Kondo, shkrimtar, skenarist. Më 1961 kreu studimet e larta në Universitetin e Sant Petërburgut, Fakultetin e Gjeologjisë, katedrën e paleontologjisë. Që në bankat e shkollës së mesme u dallua pasioni i tij për letërsinë dhe artet. Puna e inxhinierit gjeolog me lëvizjet e shumta anekënd atdheut dhe njohja me njerëz të ndryshëm e frymëzuan të shkruante reportazhe e më vonë tregime që filluan të duken në faqet e organeve të shtypit, si “Zëri i Rinisë”, “Drita” etj. Më vonë do të botoheshin edhe romane që do të tërhiqnin vëmendjen e lexuesve dhe të kineastëve. Në vitet 1973–1976 ka qenë sekretar për letërsinë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe nga 1976–1983, kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. U nda nga jeta në vitin 2006. (Në fotografi: Anastas Kondo)
Teksti: Viktor Gjika
Fotografia: © https://www.goodreads.com/photo/author/18653756.Anastas_Kondo
Përpunim grafik: AHCF




