U nda nga jeta Arben Shaka, aktor i humorit, regjisor, mjeshtër i pantonimës dhe skenarist i disa filmave vizatimorë. Lindi në Tiranë, në vitin 1952. Arben Shaka ka një karrierë rreth 33 vjetësh, krijues në cirkun kombëtar, në teatrin e varietesë, në televizion, kinematografi etj. E filloi karrierën artistike në vitin 1966, ku interpreton rolin e shoferit në pantomimën “Shoferi dhe pasagjeri”. Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1968, nis karrierën profesioniste në skenën e teatrit të Estradës së Tiranës. Prirjet e artistit Shaka ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore dhe këtu ka një të përbashkët me artin e bukur të cirkut. Me punë të lodhshme, shumë djersë dhe pasion, Arben Shaka arriti të jetë i suksesshëm në Cirkun dhe Estradën e Tiranës. Filmi “Cirku në fshat” (1977), ku luante Arben Shaka në rolin e Agronit, ishte një sukses, por ka pasur shumë role të tjera, si në varietete televizive dhe në estradë me sukses të plotë. Për herë të parë merr pjesë në një film në vitin 1969 te “Përse bie kjo daulle”. Më pas vazhdon përsëri në filmin e dytë, në vitin 1972, tek “Odiseja e tifozëve” dhe po në të njëjtin vit shfaqet në filmin “Kapedani” si një nga të rinjtë e fshatit. Arben Shaka është nderuar me medaljen “Naim Frashëri”. (Në fotografi: Arben Shaka)
Teksti: https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/profil-i-aktorit-te-humorit-arben-shaka/
Fotografia: © https://www.hashtag.al/index.php/2022/01/23/ndahet-nga-jeta-aktori-arben-shaka/
Përpunim grafik: AHCF




