Impresum

info@albanianheritage.al

18.5 C
Tirana
E hënë, 4 Maj, 2026

At’ Stath Melani

Lexo ngjarje:

U vra barbarisht nga agjentë grekë at Stath Melani, klerik atdhetar që luftoi për çlirimin e për mbrojtjen e vendit. Punoi për gjuhën e shkollën shqipe dhe për mëvetësimin e Kishës Ortodokse. Lindi në Melan të Shqerisë (Përmet), në vitin 1858. Më 1876 mërgoi në Stamboll, ku punonte e mësonte. Atje u lidh me rrethet atdhetare shqiptare dhe u mor me shpërndarjen e abetareve e të librave të tjerë shqip. Për këtë veprimtari u përndoq dhe mërgoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u aktivizua në lëvizjen kombëtare. Në vitin 1899 u dorëzua prift në Kishën e Shën Mërisë në Uorçester. Po atë vit u kthye në Përmet. Përuroi të parën meshë shqip në kishën e Përmetit. Për këtë u qortua nga autoritetet kishtare greke. Shtëpia e tij u bë bazë e çetave të armatosura që luftonin për lirinë e Shqipërisë. Për veprimtarinë atdhetare u burgos për disa muaj në burgun e Janinës. At Stath Melani mori pjesë në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912. Së bashku me të birin formoi më 1912 çetën e tij patriotike, ku u rreshtuan dhe bashkatdhetarë myslimanë. Përkrahu Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (1912). Luftoi me armë në dorë (1913–1914) kundër bandave të andartëve e ushtrisë greke që pushtuan viset e Shqipërisë së Jugut dhe u përpoqën të organizonin të ashtuquajturën “Kryengritje Vorio-Epirote”, me të cilën synonin t’ia aneksonin Greqisë këto treva shqiptare. Luftoi gjithashtu kundër forcave të Esat pashë Toptanit. U arrestua në Vlorë nga kryengritësit esadistë. Pasi u lirua, bashkë me të birin mërgoi përsëri në Amerikë. Në fillim të vitit 1917 u kthye në atdhe. Emri i tij është përjetësuar në këngët e popullit. Është dekoruar me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të klasit III dhe me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”. (Në fotografi: At Stath Melani)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1685.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Stath_Melani

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Michele Bulmetti

U nda nga jeta at Mikele Bulmeti (it. Michele Bulmetti), misionar arbëresh.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img