Ishte një nga betejat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shënoi sulmin e organizuar të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave ushtarake serbe. Sulmi frontal filloi më 9 prill 1999, pas konsultimeve të Shtabit të Brigadës 138 me Komandën e Zonës Operative të Dukagjinit dhe Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në koordinim me bombardimet e NATO-s (North Atlantic Treaty Organisation – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut). Sulmi filloi nga territori i Shqipërisë, përgjatë vijës kufitare në rajonin e Kosharës, komuna e Gjakovës. Udhëheqës i operacionit ishte Agim Ramadani, kryeshef i Shtabit të Brigadës 138, i cili udhëhoqi përgatitjen e planit luftarak. Më 10 prill u mor posta ushtarake jugosllave në Kosharë. Në luftime morën pjesë ushtarët e batalionit të parë, ushtarët e policisë ushtarake dhe grupi i ndërhyrjes së shpejtë “Kobrat”. Më 11 prill 1999 ishte planifikuar marrja e bazës së ushtrisë jugosllave në Kosharë. Për këtë qëllim Agim Ramadani me një skuadër të batalionit të dytë dhe grupin “Kobrat” ishte nisur nga baza e Kosharës në drejtim të vendit Rrasa e Kosharës, ku duhej të takohej me Anton Çunin dhe njësitin e tij. Në këto luftime, në vijën e parë të frontit ra dëshmor Agim Ramadani. Beteja vazhdoi edhe në ditët në vijim. Më 19 prill, te Rrasa e Kosharës forcat serbe sulmuan me këmbësori dhe me artileri të rëndë. Aty ra dëshmor edhe Sali Çekaj, në vijën e parë të frontit. Luftimet e ashpra vazhduan pothuajse çdo ditë, deri në përfundim të luftës. Përveç pjesëmarrjes së qindra luftëtarëve vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora, merrnin pjesë edhe vullnetarë të tjerë të kombeve të huaja. Kanë marrë pjesë edhe rreth 300 ushtarakë të Divizionit të Kukësit të Ushtrisë Shqiptare. Falë kësaj ndihme, për herë të parë gjatë luftës në Kosovë, nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në frontin e Kosharës janë përdorur topat e kalibrave të mëdha. Brigada 138, që tashmë kishte marrë emrin e komandantit të saj, ka meritën kryesore për thyerjen përfundimtare të kufirit Kosovë–Shqipëri dhe për fitoren në këtë betejë. Betejat më të rëndësishme u zhvilluan te Rrasa e Kosharës, në Bjeshkët e Junikut, te Rasa e Zogut në Kosharë, në Qafë të Morinës etj. Në këtë betejë kanë rënë 114 dëshmorë të kombit, ndërkaq janë plagosur 438 luftëtarë. (Në fotografi: Kompleksi memorial, Kosharë, Gjakovë.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 178.
Fotografia: © https://amkmk.rks-gov.net/acadp_listings/kompleksi-memorial-beteja-e-koshares-koshare/
Përpunim grafik: AHCF




