Malësia e Zhegocit ishte zonë e lirë dhe aty, më 28 mars 1999, Shtabi i Zonës ishte i vendosur në Zhegoc të Poshtëm, kurse efektivi i Brigadës 171 “Kadri Zeka” në Malësinë e Zhegocit. Gjatë muajit prill të vitit 1999 ushtria serbe ndërmori një fushatë në tërë Kosovën, me qëllim shpartallimin e njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Natën e 14 prillit të vitit 1999 forcat serbe rrethuan fshatin Zhegoc nga të katër anët me mijëra trupa dhe me teknikë të rëndë luftarake. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte pozicionuar në fshatrat Kishnicë, Brus e Honroc (veri), Llabjan, Parallovë e Bresalc (lindje), Gadish e Ponesh (jug) dhe Sllovi e Akllap (perëndim). Në këtë zonë ishte strehuar edhe popullata civile, rreth 6 000 veta. Në mëngjesin e 15 prillit njësitet pararojë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës te Hanet e Zhegocit filluan luftën me forcat serbe, për të penguar hyrjen e tyre në fshat. Që në fillim të betejës forcat e ushtrisë serbe pësuan humbje dhe, në shenjë hakmarrjeje, filluan granatimet mbi pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatën civile. Në mbrojtje të Zhegocit ranë dhjetëra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë 18 civilë dhe pati shumë të plagosur. Ushtarët e Brigadës 171 “Kadri Zeka” arritën ta mbronin popullatën civile dhe të çanin rrethimin në drejtim të Marecit. Beteja e Zhegocit pati rëndësi për rrethanat e luftës, sepse territori ishte urë lidhëse në mes të zonave operative të Nerodimës dhe të Llapit. (Në fotografi: Varrezat e dëshmorëve në fshatin Zhegoc.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 182–183.
Fotografia: © https://kosovapress.com/24-vjet-nga-beteja-e-zhegocit
Përpunim grafik: AHCF




