Në Korçë lindi Dhimitër Berati, veprimtar politik, diplomat. Studioi për shkenca politike e juridike në Bukuresht e në Romë. Fillimisht punoi si sekretar i Bashkësisë Shqiptare në Bukuresht. Në vitin 1912 Bashkësia Shqiptare e Rumanisë e caktoi të shoqërojë Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin në udhëtimin për në Shqipëri, ku do të shpallnin pavarësinë nga Perandoria Osmane. Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912, ku nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë. Në mbledhjen e pleqësisë u zgjodh sekretar i saj dhe kreu detyrën e Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës (1912). Nga gushti i vitit 1913 deri në mars 1914 qe drejtor i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, e para fletore zyrtare e shtetit shqiptar. Gjatë Luftës I Botërore jetoi në Rumani dhe ishte sekretar i përfaqësisë shqiptare të Rumanisë; në vitet 1919–1921 sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Për të rrëzuar pretendimet serbe kundër Shqipërisë, Dhimitër Berati botoi librin “La question albanaise” 1919 (“Çështja shqiptare”), në të cilën përmblidhen artikuj të shkruar nga autorë të huaj për Shqipërinë. Në vitin 1923, Dhimitër Berati qe drejtor në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Kufijtë; në vitin 1930 u caktua delegat i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve; më 1934, u emërua ministër i Ekonomisë dhe, që nga shtatori deri në tetor të 1935, drejtoi edhe Ministrinë e Arsimit; në qeverinë e Mithat Frashërit ishte ministër i Ekonomisë. Prej dhjetorit të vitit 1941, deri në janar të vitit 1943 ishte ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës. Në mbarim të luftës emigroi në Itali, ku dhe u nda nga jeta në vitin 1970. (Në fotografi: Dhimitër Berati)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 213.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Dhimit%C3%ABr_Beratti
Përpunim grafik: AHCF




