Në fshatin Shën-Sofia (Kalabri) lindi Engjëll Mashi, studiues arbëresh i historisë dhe i kulturës popullore shqiptare. Mësoi në kolegjin e Shën Adrianit në Shën-Mitër (Kalabri), në vitin 1758. Studioi për drejtësi në Napoli. Punoi si avokat. Vepra kryesore e tij është “Discorso sull’origine, i costumi e lo stato attuale degli Albanesi del Regno di Napoli”, Napoli, 1807 (“Ligjëratë mbi zanafillën, doket dhe gjendjen aktuale të shqiptarëve të Mbretërisë së Napolit”). Engjëll Mashi argumenton autoktoninë e shqiptarëve dhe prejardhjen e tyre nga pellazgët, shkruan për luftën e shqiptarëve për liri dhe kërkon që arbëreshët e Italisë të njihen nga shteti i Italisë së Jugut si një kombësi e veçantë. Vepra ndikoi tek arbëreshët e Italisë dhe te rilindësit shqiptarë në shekullin XIX. Botimi i parë i saj u përkthye frëngjisht nga gjeografi K. Maltebrun, që me këtë i bëri të njohur shqiptarët në botën e jashtme. Vepra ndikoi edhe në opinionin publik të kulturuar italian të kohës. U nda nga jeta në vitin 1821. (Në fotografi: Engjëll Mashi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1649–1650.
Fotografia: © https://www.zgjohushqiptar.info/2020/12/262-vite-nga-lindja-e-juristit-dhe-studiuesit-shquar-arberesh-engjell-mashi.html
Përpunim grafik: AHCF




