Në Plavë të Malit të Zi lindi Esad Mekuli, poet, akademik, përkthyes, themelues i revistës letrare “Jeta e re”. Gjimnazin e kreu në Pejë, fakultetin e veterinarisë në Beograd. Si i ri u përfshi në lëvizje studentore përparimtare të viteve tridhjetë në Jugosllavinë e atëhershme. Ishte pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare, redaktor i gazetës ilegale “Liria”. Pas luftës ishte redaktor përgjegjës i gazetë “Rilindja”. Nga viti 1949 deri në pensionim ishte kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re”. Ishte kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (1975–1979), kryeredaktor i Enciklopedisë Jugosllave për Kosovën, anëtar korrespondent i disa akademive të shkencave dhe të arteve në hapësirën e Ballkanit. Shkroi dhe botoi poezi qëkur ishte nxënës i gjimnazit në Pejë, më pas edhe si student, në gjuhën serbe, në shumë gazeta dhe revista të viteve ’30 të shekullit XX në Beograd, Zagreb e Sarajevë. Vjershën e parë e botoi në vitin 1932. Vëllimi i parë poetik “Për ty” doli në dritë më 1955. Në vazhdim ai botoi edhe këto vëllime: “Dita e re” (1966), “Vjersha” (1974), “Rini e kuqe” (1984), “Drita që nuk shuhet” (1989). Lirika e tij frymëzohet nga dashuria për vendlindjen dhe për të nesërmen e saj. Pas çlirimit ajo ishte entuziaste dhe optimiste për të ardhmen, por edhe e brengosur, ndërsa në momente edhe e zhgënjyer dhe e dëshpëruar nga pengesat që dilnin drejt këtij vizioni. Bashkë me zhgënjimin që pësonte Kosova shqiptare nga viti në vit, zymtohej dhe bëhej dëshpëruese edhe muza poetike e Esad Mekulit. Përktheu në shqip nga gjuha serbokroate disa vepra dhe autorë nga më të rëndësishmit prej gjuhëve sllave, si dhe shumë vepra dhe autorë nga shqipja në serbisht, ndër të cilët edhe Ismail Kadarenë, Anton Pashkun, Azem Shkrelin etj. U nda nga jeta në Prishtinë, në vitin 1993. (Në fotografi: Esad Mekuli)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1092-1093.
Fotografia: © https://ashak.org/anetaret/esad-mekuli/
Përpunim grafik: AHCF




