Në Ribera (Sicili) lindi Françesko Krispi (Francesco Crispi), personalitet politik e shtetëror italian me origjinë arbëreshe. Bashkëpunoi me Garibaldin në revolucionin sicilian (1859) dhe u bë këshilltar politik i tij. U zgjodh deputet i parlamentit të parë italian që u hap në Firence (1861). Kryeministër i Italisë në vitet 1887–1891 dhe 1893–1896. Në politikën e jashtme përkrahu Aleancën Tripalëshe (Gjermani–Austro-Hungari–Itali) dhe depërtimin kolonial të Italisë në Afrikë, ku u formua kolonia italiane e Eritresë (1890). Si kryeministër përkrahu në vitet ’90 të shekullit XIX politikën e depërtimit ekonomik, politik e kulturor të Italisë në Shqipëri. Gjatë qeverisjes së tij u përpunua ideja e qarqeve politike të Romës për një “Shqipëri të pavarur” nën protektoratin e Italisë dhe u hap në Shkodër shkolla e parë katolike shtetërore italiane (1888). Nga viti 1896, kur kryeministër ishte Françesko Krispi, filluan të ngrihen shkolla të tjera italiane, fillore e profesionale në Shkodër, në Durrës, në Janinë e në Vlorë. Në të gjitha këto shkolla mësimi jepej në fillim në gjuhën italiane, ndërsa në fillim të shekullit XX u fut në këto shkolla edhe mësimi i gjuhës shqipe. Me nismën e Françesko Krispit dhe falë dashurisë së arbëreshëve për gjuhën amtare shqipe, më 1895 u mblodh në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) Kongresi Gjuhësor i Arbëreshëve të Italisë, ku u themelua “Shoqëria Kombëtare Shqiptare” (“Societa Nazionale Albanese”), e drejtuar nga Anselmo Lorekio. U nda nga jeta në vitin 1901. (Në fotografi: Françesko Krispi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1347–1348.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Fran%C3%A7esko_Krispi
Përpunim grafik: AHCF




