Në Shkodër lindi Iljaz Fishta, ekonomist, historian, profesor. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për ekonomi financiare në Institutin Ekonomiko-Financiar të Leningradit (1946–1950). Punoi në Ministrinë e Financave (1950–1953), në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (1953–1966), drejtor i drejtorisë së studimeve në Komisionin e Planit të Shtetit (1966–1969), drejtor i degës së Bankës së Shtetit në Shkodër (1969–1973), sekretar shkencor i Institutit të Studimeve Ekonomike (1973–1979), përgjegjës sektori në Institutin e Historisë (1979–1991). Veprimtaria shkencore e Iljaz Fishtës rrok tri fusha kryesore: teorinë e ekonomisë, politikën ekonomike të shtetit dhe veçanërisht historinë e ekonomisë së Shqipërisë nga fundi i shekullit XIX dhe gjatë shekullit XX. Iljaz Fishta ka botuar monografitë “Sistemi monetar dhe i kreditit në Shqipëri 1925–1944” (1971), “Ndërhyrja e kapitalit të huaj dhe politika e saj skllavëruese për Shqipërinë 1925–1931” (1979), “Ndërhyrja e kapitalit të huaj dhe pasojat e saj skllavëruese për Shqipërinë 1931–1936” (1989), “Ndërhyrja e kapitalit të huaj dhe roli i saj për pushtimin e Shqipërisë 1936–1939” (1999); botoi me bashkautorë veprat: “Gjendja ekonomike e Shqipërisë në vitet 1912–1944” (1983), “Prona private në Shqipëri” (1996); “Historia e Ekonomisë së Shqipërisë 1944–1960” (2004) etj. Iljaz Fishta ka qenë zv.kryeredaktor i revistave “Ekonomia popullore”, “Probleme ekonomike”, “Studime historike” etj. Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së tretë dhe urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. U nda nga jeta në vitin 2005. (Në fotografi: Monografia e Fishtës “Sistemi monetar dhe i kreditit në Shqipëri 1925–1944”)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 686–687.
Fotografia: © https://www.goodreads.com/book/show/54447571-sistemi-monetar-dhe-i-kreditit-n-shqip-ri
Përpunim grafik: AHCF




