U nda nga jeta Kristaq Prifti, historian, turkolog, profesor, akademik. Lindi në Berat, në vitin 1932. Në vendlindje kreu edhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë në Institutin Pedagogjik në Moskë (1951–1955). Në vitet 1955–1975 ka punuar si pedagog i historisë së përgjithshme dhe historisë së Shqipërisë (periudha e Rilindjes) në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku ka qenë edhe përgjegjës i katedrës së historisë (1960–1975), në vitin 1962 zv.dekan dhe në vitet 1969–1975 dekan. Ka mbajtur ligjërata në kursin e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës (1972–1980). Nga viti 1982 ishte punonjës shkencor në Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave; në vitet 1991–1993 drejtor i këtij Instituti. Veprimtarinë shkencore e ka zhvilluar në fushën e historisë së Shqipërisë (për periudhën e Rilindjes), ku ka trajtuar sidomos tema, si: Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878–1881), Lidhja Shqiptare e Pejës (1899–1900), Shqiptarët dhe Revolucioni Xhonturk, lëvizja politike-kulturore në Shqipëri (1908–1910), Kongresi i Manastirit (1908), Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës, si edhe për problemet e historisë së sotme të Kosovës etj. Është autor i disa monografive e botimeve me dokumente, autor i një vargu artikujsh studimorë, të botuar në revistat shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ka drejtuar gjatë viteve 1998–2007 projektin “Historia e popullit shqiptar në katër vëllime dhe është bashkautor e redaktor shkencor i vëll. II (2002) dhe redaktor shkencor i vëll. III (2007). Është bashkëpërgatitës dhe bashkëredaktor i disa vëllimeve me dokumente e studime të Akademisë së Shkencave, si: “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit” (1972), Sami Frashëri, “Vepra” (vëll. I e II, 1988), “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi” (edhe anglisht: “The throuth on Kosova”, 1993). “Çështja e Kosovës një problem historik dhe aktual” (dhe anglisht: “The Kossova issue a historical and current problem”), Tiranë, 1996; bashkautor dhe bashkëredaktor i veprës “Himara në shekuj” (2004) etj. Është dekoruar me urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” i klasit I; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së dytë. (Në fotografi: Kristaq Prifti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2087–2088.
Fotografia: © https://akad.gov.al/ash/home/asambleja/anetar/te-ndare-jeta?id=317
Përpunim grafik: AHCF




