Kristo Luarasi

Lexo ngjarje:

Në Luaras të Kolonjës lindi Kristo Luarasi, veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Kontribuoi në përhapjen e shkrimit e të shkollave shqipe dhe në zhvillimin e botimeve e të shtypit shqiptar. E filloi veprimtarinë atdhetare në vitet ’90 të shekullit XIX. Gjatë viteve 1892–1894, punoi si mësues i gjuhës shqipe në një nga shkollat e para shqipe, të çelur në Luaras me përpjekjet e Petro N. Luarasit. I ndjekur nga autoritetet osmane dhe agjentët e Patrikanës greke, më 1894 mërgoi në fillim në Bukuresht e pastaj në Sofje, ku mori pjesë në veprimtarinë e shoqërisë “Dëshira”. Me ndihmën e kësaj shoqërie, së bashku me Kostë J. Trebickën, themeluan në Sofje shtypshkronjën “Mbrothësia”, ku u shtypën një varg librash shkollore, vepra të autorëve rilindës dhe gazeta. Kristo Luarasi ishte propagandues dhe pjesëmarrës aktiv i luftës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Më 1907 bashkëpunoi me Bajo e Çerçiz Topullin në Sofje për përgatitjen e çetave të armatosura. Në vitin 1907, në shtypshkronjën e tij “Mbrothësia” ribotoi për herë të parë veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, duke shënuar emrin e autorit (botimi i parë kishte dalë pa emrin e autorit). Po këtë vit e botoi veprën në fjalë edhe në përkthimin greqisht e turqisht. Përkrahu, nëpërmjet gazetës “Liri e Shqiperisë” që ai drejtonte, kryengritjet e mëdha kundërosmane të viteve 1911–1912. Në nëntor të 1912 punoi në kolonitë shqiptare të mërgimit (Sofje, Bukuresht) për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe për Shpalljen e Pavarësisë. Në vitet ’20 të shekullit XX, i vendosur në Tiranë ku kishte sjellë edhe shtypshkronjën e tij, iu kushtua veprimtarisë botuese. U nda nga jeta në vitin 1934. (Në fotografi: Kristo Luarasi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1538–1539.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kristo_Luarasi

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Aksioni i njësiteve të çetave partizane

U zhvillua “Aksioni i njësiteve të çetave partizane”, aksioni i parë në shkallë kombëtare gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për çlirimin e disa qendrave të vendit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img