Në krahinën malore të Dukagjinit (rrethi i Shkodrës) shpërtheu “Kryengritja e Dukagjinit”, kryengritje antiqeveritare e malësorëve të Veriut për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Kryengritja e Dukagjinit u përdor nga monarkia jugosllave, nëpërmjet klerikëve katolikë në Jugosllavi, për të penguar afrimin e qeverisë së Tiranës me qeverinë e Romës, në një kohë kur po zhvilloheshin bisedime midis tyre për përfundimin e Paktit I politik italo-shqiptar. Fashistët italianë nga ana e tyre synonin ta shfrytëzonin këtë kryengritje për ta trembur Ahmet Zogun me rrezikun jugosllav dhe për të shpejtuar nënshkrimin e paktit. Kryengritësit zunë qendrën e Dukagjinit dhe iu afruan Shkodrës. Kryengritja u përhap edhe në rrethin e Pukës. Qeveria shqiptare mobilizoi mercenarë nga elementë të besimit mysliman dhe i hodhi ata kundër popullsisë katolike, duke synuar t’i shndërronte kontradiktat e brendshme ekonomike-shoqërore e politike në kontradikta fetare. Më 30 nëntor Kryengritja e Dukagjinit u shtyp egërsisht. (Në fotografi: Krerët antizogistë të Malësisë së Dukagjinit, 1926.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 274–275.
Fotografia: © https://shqiptarja.com/lajm/kryengritja-e-dyte-per-br-rrezimin-e-qeverise-zogiste
Përpunim grafik: AHCF




