Në Gjakovë lindi Liza Vorfi, aktore e teatrit dhe kinemasë si dhe këngëtare shqiptare, “Artiste e merituar”. Për shkak të dhunës serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, familja e saj transferohet në qytetin e Shkupit ku derisa familja e saj ndërtoi shtëpinë e vet, jeton në familjen e Nënë Terezës e cila kujdeset vetë për Lizën e vogël. Në moshën 6-vjeçare Liza filloi shkollën në kolegjin francez të Shkupit ku dhe do të bjerë në sy talenti i saj qoftë si balerinë, qoftë si këngëtare në shfaqjet që jepte grupi artistik i kolegjit. Në 1932 familja e saj shpërngulet në Tiranë. Në vitin 1933 regjistrohet në institutin femëror “Nana Mbretneshë” në Tiranë, ku studioi deri në vitin 1940. Aktivitetin artistik e ka filluar qysh në vitin 1939 si këngëtare në radio “Tirana”. Në vitin 1940, për talentin dhe zërin e saj të mrekullueshëm, fitoi bursë nga shteti për të studiuar për kanto në Itali. Studimet i filloi në konservatorin “Santa Cecilia” në Romë, ku përveç kantos studioi edhe balet. Pas kësaj studioi kanto edhe për dy vite të tjera në konservatorin “Giaocomo Rossini” të Pezaros. Në vitin 1943 kthehet në Shqipëri dhe rifillon punën në radio “Tirana” si këngëtare duke shtuar në repertorin e saj këngën popullore. Në vitin 1945 fillon punën si aktore në Teatrin Profesionist që ishte dhe bërthama e atij që më vonë do të quhej Teatri Popullor (sot Teatri Kombëtar). Teatri Kombëtar e konsideron Liza Vorfin si një nga aktoret më të njohura dhe më fisnike të këtij institucioni, që ka qenë dhe shkollë aktrimi për breza të ndryshëm. Për meritat e saj artistike Liza Vorfi është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 2011. (Në fotografi: Liza Vorfi)
Teksti: https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/liza-vorfi-1924-2011-perkujtimore/
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Liza_Vorfi
Përpunim grafik: AHCF




