U ekzekutua me pushkatim Llambi Ziçishti, mjek kirurg i përgjithshëm, profesor. Lindi në Ziçisht të Devollit, në vitin 1923. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës. Mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Studimet e larta i filloi në Paris (1946–1948) dhe i përfundoi në Bukuresht (1948–1953). Në vitet 1953–1965 shërbeu si kirurg në Spitalin nr. 2 të Tiranës, duke qenë dhe përgjegjës i katedrës së kirurgjisë së përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë (1955–1959) dhe dekan (1969–1970). Në vitet 1959–1962 qe përgjegjës i klinikës së kirurgjisë së përgjithshme, drejtor i Spitalit nr. 2 (1965–1968) dhe ministër i Shëndetësisë (1970–1982). U mor kryesisht me kirurgjinë abdominale dhe trajtoi ulcerat gastroduodenale me vagotomi etj. Gjatë viteve 1961–1963 studioi urolitiazën. Në klinikën e drejtuar prej tij, krahas kirurgjisë abdominale, u zhvillua edhe kirurgjia e vogël e enëve të gjakut. Nga viti 1974 deri më 1982, kur u arrestua për arsye politike, qe deputet i Kuvendit Popullor; një vit më vonë u dënua me vdekje e u pushkatua. Është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”. (Në fotografi: Llambi Ziçishti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2992.
Fotografia: © https://www.pressreader.com/
Përpunim grafik: AHCF




