U nda nga jeta Llazi Sërbo, aktor. Lindi në Korçë, në vitin 1945. Mbaroi studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve më 1969 dhe fill më pas u emërua në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Në vitet 1986–1993 punoi asistent regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në skenën e teatrit të Korçës luajti rreth 30 role kryesore dhe të dyta. Figura të goditura realizoi sidomos në kinematografi. E nisi me rolin e Dalanit në filmin “Yjet e netëve të gjata” (1972), për të mbërritur më pas në mishërime aktoriale të një niveli të lartë, posaçërisht në filmat “Shembja e idhujve” (Mësuesi), “Nusja dhe shtetrrethimi” (kapiteni gjerman Edgard) etj. Loja e Llazi Sërbos bie në sy për përqendrimin e dukshëm të veprimit psikik, për thellësinë dhe vetëpërmbajtjen në të jetuarit e botës së brendshme të personazhit, për syrin zhbirues, për sigurinë dhe qetësinë e jashtme të portretit. Ka vënë në skenë edhe disa pjesë si regjisor. (Në fotografi: Llazi Sërbo)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Llazi_S%C3%ABrbo
Përpunim grafik: AHCF




