U nda nga jeta Loro Boriçi, futbollist (qendërsulmues), trajner, pedagog, “Mjeshtër i merituar i sportit”. Lindi në Shkodër, në vitin 1922. Në vendlindje kreu shkollën e mesme dhe u radhit për herë të parë në skuadrën e futbollit të shoqërisë “Vllaznia” (1937), si lojtari më i ri i kampionatit kombëtar të paraluftës. Studioi për drejtësi në Universitetin e Romës, ku u aktivizua me skuadrën “Lazio” në dy kampionate të Serisë A (1941–1942, 1942–1943). U dallua si lojtar i “Vllaznisë” së Shkodrës, që fitoi kampionatin kombëtar në vitit 1945; kapiten i skuadrës kombëtare të futbollit, që zuri vendin e parë në Lojërat ballkanike në Tiranë, më 1946; kapiten i skuadrës “Partizani”, kampione e Shqipërisë në vitet 1949 dhe 1954. Në vitin 1958 qe trajner i “Flamurtarit” të Vlorës, në vitin 1966 i “Lokomotivës” së Durrësit dhe në vitin 1959–1984 trajner i “Partizanit” (me ndërprerje), me të cilin fitoi medaljet e argjendta në Turneun Ndërkombëtar të Hanoit (1963) dhe titullin “Kampion i Ballkanit” (1970). Kreu një kurs specializimi njëvjeçar si trajner në Bullgari (1960); pedagog i lëndës së futbollit në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike në Tiranë “Vojo Kushi”; në vitin 1974 punoi si specialist i futbollit në Republikën Popullore të Kinës. Loro Boriçi ka luajtur me skuadrën kombëtare në 24 ndeshje zyrtare dhe ka qenë trajner i saj në 20 ndeshje. U nda nga jeta në vitin 1984. Është dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. (Në fotografi: Loro Boriçi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 280.
Fotografia: © https://it.wikipedia.org/wiki/File:Loro_Borici.jpg
Përpunim grafik: AHCF




