Lindi në Durrës Lutfi Hoxha, aktor, Artist i merituar. Kreu studimet në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. U tërhoq në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit si aktor profesionist, pas një veprimtarie të gjatë në lëvizjen teatrore amatore të qytetit të lindjes. Në mozaikun e roleve të tij përfshihen tipa të larmishëm nga shtresa të ndryshme sociale, me prirje e tipare të mëvetësishme. Veçanërisht ka qenë i shumëpëlqyer për personazhe të moshuarish shpirtbardhë, ngacmues, babëlokë e hokatarë të mprehtë, ngushëllonjës ndaj dëshpërimeve të të rinjve të dashuruar, këshillues, që përfaqësojnë rëndom edhe kumtimin moral e mësimdhënës që rrjedh nga përvoja e tyre jetësore; po kështu, të shumta kanë qenë edhe rolet me mbartje negative, njerëz dinak apo tuhafë, pijanecë apo shpirtvegjël. Aktrimi i tij bie në sy për sigurinë dhe qetësinë e brendshme të përcjelljes së fjalës në çaste të ndera, për hirin skenik, zotësinë për të theksuar atë çka është thelbësore në një veprim, gjest, replikë a situatë të caktuar, pa britma dhe përnxitje të jashtme. Edhe në kinematografi ka luajtur 12 role, të interpretuara përgjithësisht në prerjet tipologjike të sipërpërmendura. Spikati veçanërisht me rolin e babait, në filmin “Shoku ynë Tili”, 1981. (Në fotografi: Lutfi Hoxha)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://shqiptarja.com/lajm/85vjetori-aktori-lutfi-hoxha-66-vjet-ne-skene-dhe-ekran
Përpunim grafik: AHCF




