Në Zarë (Dalmaci) lindi Marie Kraja (Paluca), soprano lirike koloraturë, Artiste e Popullit. Ndoqi shkollën e mesme muzikore në Vjenë dhe kreu studimet e larta për kanto në Konservatorin e Gracit (1929–1934). Punoi si mësuese në gjimnazin “Donika Kastrioti” në Shkodër dhe në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Zhvilloi veprimtari koncertore në qytetet kryesore të vendit. Interpretoi pjesë të njohura të repertorit klasik dhe shumë këngë popullore. Pas çlirimit dha mësim në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe punoi në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku interpretoi një radhë rolesh operistike kryesore të repertorit tradicional të huaj dhe shqiptar. Interpretuese në dy operat e para shqiptare “Mrika” (Prenk Jakova) dhe “Lulja e kujtimit” (Kristo Kono). Prej vitit 1963 punoi si pedagoge dhe udhëheqëse e klasës së kantos në Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Marie Kraja është një ndër themelueset e traditës së interpretimit vokal profesionist. Interpretoi një repertor shumë të pasur muzikor, ku përfshihen tërë gjinitë e muzikës vokale profesioniste, që nga muzika e dhomës e deri tek ajo oratoriale e skenike. U shqua për veti individuale interpretuese, sidomos për trajtimin e këngës popullore; u karakterizua nga një teknikë dhe nivel artistik i lartë, përmes të cilave krijoi variante të reja koncertore të këngëve dhe formoi traditën e një interpretimi shumë besnik të këngës popullore, veçanërisht të këngës shkodrane. Marie Kraja ka përfaqësuar denjësisht artin shqiptar në një varg skenash të rëndësishme në botën e jashtme. Është dekoruar me urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Punës”; ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1999. Duke filluar nga viti 1999, në Tiranë çdo vit zhvillohet Festivali ndërkombëtar i këngëtarëve operistike “Marie Kraja”. (Në fotografi: Marie Kraja)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1334.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Marie_Kraja
Përpunim grafik: AHCF




