Marrëveshja e Brukselit

Lexo ngjarje:

Kjo marrëveshje ishte rezultat i dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. U nënshkrua më 19 prill 2013 pas dhjetë raundeve takimesh ndërmjet delegacionit të Kosovës të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, të kryesuar nga kryeministri Ivica Daçiq. Marrëveshja u nënshkrua po ashtu edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Euopian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Ashton. Shumë shtete perëndimore e vlerësuan marrëveshjen si historike dhe një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja përmban 15 pika, përmes të cilave synohet eliminimi i strukturave paralele në veri të Kosovës, krijimi i mirëbesimit ndërmjet palëve dhe hapja e rrugës për marrëveshje të tjera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas marrëveshjes parashihet formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku themelimi bëhet përmes statutit, ndërsa shpërbërja mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse. Marrëveshja parasheh gjithashtu integrimin e të gjitha strukturave policore në veri të Kosovës brenda Policisë së Kosovës dhe ndërprerjen e pagesave të dyfishta nga Serbia dhe Kosova, duke vendosur sistem unik të pagave nga ana e Policisë së Kosovës. Sipas marrëveshjes, pjesëtarët e strukturave të sigurisë në veri integrohen në strukturat përkatëse të Kosovës, ndërsa parashihet që komandanti rajonal i policisë për katër komunat me shumicë serbe në veri (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) të jetë serb i nominuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Edhe strukturat gjyqësore në veri të Kosovës duhet të përfshihen brenda kornizës ligjore të Kosovës dhe të themelohet një panel i përbërë me shumicë të serbëve të Kosovës, për të gjykuar të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe. Marrëveshja detyron mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, në përputhje me ligjet e Kosovës. Po ashtu parashihet që asnjëra palë (pra as Serbia, as Kosova) nuk do të bllokojë apo të inkurajojë të tjerët të bllokojnë progresin e palës tjetër në rrugën përkatëse drejt BE-së. Plani i zbatimit të marrëveshjes është pajtuar ndërmjet palëve më 23 maj 2013. Zbatimi i marrëveshjes mbikëqyret nga një komision i veçantë, me përfaqësues të të dy palëve dhe me lehtësim të përfaqësuesve të BE-së, takimet e të cilit mbahen në Bruksel. Zbatimi i marrëveshjes është treguar i vështirë, i ngadaltë dhe është shoqëruar me kundërthënie e kritika të shumta. Aspekte të planit për zbatimin e marrëveshjes, si miratimi i ligjit për amnisti, kanë nxitur kritika të zëshme në Kosovë, përderisa rreth asociacionit të komunave serbe vazhdon të ketë perceptime të ndryshme për rolin dhe kompetencat e tij. (Në fotografi: Hashim Thaçi, Ivica Daçiq dhe Ketrin Ashton.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1050.

Fotografia: © https://pashtriku.org/dhjete-vjet-nga-marreveshja-e-pare-e-brukselit/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img