Filloi procesi “Marrëveshja e Rambujesë”. “Marrëveshje e përkohshme për paqe dhe vetëqeverisje në Kosovë”, ishte titulli zyrtar i kësaj marrëveshjeje, që në të vërtetë ishte një proces negociator Kosovë–Serbi, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit (Shtete e Bashkuara të Amerikës, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali dhe Rusi). Ky proces filloi në kështjellën e Rambujesë (Francë) nga 6 deri më 23 shkurt 1999 dhe përfundoi në Paris nga 15 deri më 18 mars të vitit 1999. Nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare publike nuk pati marrëveshje, sepse atë e nënshkroi në Paris vetëm njëra palë, ajo kosovare, kurse Serbia refuzoi nënshkrimin e saj. Nga aspekti i marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërkaq, ky ishte një proces negociator i ndërmjetësuar ndërkombëtarisht i dy palëve ndërluftuese. Pra, një proces paqësor i papërfunduar me një traktat paqeje. Ideja e Grupit të Kontaktit, sidomos pas masakrës së Reçakut (15 janar 1999), ishte që me këtë dokument të ndalej lufta në Kosovë dhe të rikthehej autonomia e abroguar e Kosovës brenda Serbisë dhe RFJ-së. Për shkak se në draftin final të dokumentit mungonte dispozita për organizimin e referendumit për statusin e ardhshëm të Kosovës, pala shqiptare kërkoi konsultime shtesë dhe u kthye në Kosovë. Pas dy javësh u rikthye në Paris, ku nënshkroi dokumentin, vetëm pas letrës interpretuese të ish-Sekretares amerikane të Shtetit Medelin Ollbrajt, se Marrëveshja, edhe pse nuk e përcaktonte shprehimisht, e nënkuptonte referendumin. Derisa në Rambuje zhvilloheshin negociatat, në Kosovë Serbia kishte 60 000 ushtarë, ndërkaq në periudhën dyjavore nga Rambujeja në Paris, dërgoi edhe 30 000 ushtarë të tjerë, si presion ndaj palës negociuese kosovare. Refuzimi i nënshkrimit nga ana e Serbisë vetëm sa e shpejtoi vendimin e NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht me bombardimin 78-ditësh të caqeve ushtarake serbe në Kosovë dhe në Serbi, si mënyrë e vetme për të siguruar paqen dhe për të mbrojtur popullsinë civile. Vetëm më 3 qershor 1999 Serbia pranoi planin 10-pikësh të Grupit të Kontaktit, i cili i referohej Marrëveshjes së Rambujesë, kurse Parlamenti i Serbisë po atë ditë e ratifikoi atë plan, me çka postfestum Serbia në një mënyrë e kishte pranuar Marrëveshjen e Rambujesë. (Në fotografi: Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1050–1051.
Fotografia: © https://pashtriku.org/shemsi-recica-perballje-brendashqiptare-ne-konferencen-e-rambujese-ne-france-shkurt-mars-1999-ii/
Përpunim grafik: AHCF




