U zhvillua “Masakra e Celinës”, masakër e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë mbi popullsinë civile të fshatit Celinë të komunës së Rahovecit. Më 25 mars të vitit 1999 forcat serbe të pajisura edhe me armatim të rëndë, të shoqëruara edhe nga serbë lokalë, pasi e rrethuan Celinën, i granatuan dhe i mitraluan shtëpitë e fshatit. Më pas forcat serbe hynë në fshat dhe brenda katër ditësh vranë dhe masakruan 82 civilë shqiptarë, kryesisht banorë të Celinës. Gjatë kësaj masakre u vranë dhe u masakruan 11 fëmijë të moshës nga 2–14 vjeç, 7 gra, 6 vajza të moshës madhore dhe 58 burra. Vrasja e civilëve u krye me armë zjarri dhe mjete të mprehta. Për t’i fshehur gjurmët e krimit, forcat serbe i dogjën me benzinë dhe kashtë disa nga këto viktima, disa të tjerë i larguan dhe i varrosën në Rahovec. Pas masakrës, forcat serbe plaçkitën dhe dogjën shumicën e shtëpive të fshatit, shkollën, xhaminë etj. Pasi vranë edhe 4 civilë, të mbijetuarit e masakrës u dëbuan me dhunë drejt Shqipërisë. Ndërkaq, trupat e pajetë të të masakruarve u varrosën në vendet ku ishin vrarë, nga bashkëfshatarët që kishin arritur t’i shpëtonin masakrës dhe të çanin rrethimin e forcave serbe. Pas luftës, gjatë muajit korrik të vitit 1999, viktimat e masakrës u zhvarrosën dhe, pas ekspertizës nga patologët ndërkombëtarë, u rivarrosën në Celinë. Gjatë këtyre zhvarrimeve, përkatësisht më 14 korrik 1999, në Celinë kishte qëndruar edhe Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Luiz Arbur. (Në fotografi: Pamje nga fshati Celinë.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1054.
Fotografia: © https://www.facebook.com/211349922295493/photos/a.721539907943156/3558739034223215/?type=3
Përpunim grafik: AHCF




