U zhvillua “Masakra e Godenit”, masakër e forcave të policisë dhe të ushtrisë së Serbisë mbi popullsinë civile shqiptare në fshatin Goden të komunës së Gjakovës. Masakra ndodhi më 25 mars 1999, një ditë pasi NATO-ja filloi bombardimet e caqeve ushtarake serbe. Fillimisht forcat serbe hynë nëpër shtëpi dhe nxorën jashtë banorët e fshatit, të cilët i grumbulluan në afërsi të shkollës fillore. Më pas ua dogjën shtëpitë dhe objektin shkollor. Nga grumbulli i civilëve, ushtarët dhe policët serbë veçuan 20 meshkuj, të cilët më pas i masakruan dhe i ekzekutuan në një shtëpi të djegur. Mbetjet mortore u varrosën në mes të fshatit, në një varr të përbashkët në shtator të vitit 1999. (Në fotografi: Pamje nga fshati Goden.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1055.
Fotografia: © https://www.facebook.com/p/Fshati-Goden-100064305205443/
Përpunim grafik: AHCF




