Masakra e Kotlinës

Lexo ngjarje:

U zhvillua “Masakra e Kotlinës”, masakër e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare, e kryer në fshatin Kotlinë të komunës së Kaçanikut. Sulmet e forcave serbe në këtë zonë filluan që nga 26 shkurti i vitit 1999. Më pas, më 9 mars fshati u sulmua nga forcat serbe, me ç’rast u dogj lagjja “Dreshec” e këtij fshati. Në mbrojtje të fshatit kishin rënë dy dëshmorë, por popullsia civile kishte arritur të shpëtonte. Sulmin e forcave serbe e kishte konstatuar edhe ekipi i vëzhguesve të OSBE-së. Pas largimit të këtyre vëzhguesve, më 24 mars 1999 që në orët e hershme të mëngjesit, forcat serbe me artileri të rëndë, tanke, autoblinda dhe me mbi 7 mijë trupa këmbësorie e rrethuan nga të gjitha anët fshatin Kotlinë, i cili kishte mbetur fshati i vetëm i banuar me popullsi shqiptare. Popullsia civile, rreth 350 gra, pleq e fëmijë, të mbledhur në panik në qendër të fshatit, pa vonuar u zunë rob nga forcat serbe. Në prani të tyre i torturuan rëndë e më pas u ekzekutuan tre pleq të fshatit. Një pjesë e banorëve të fshatit, kryesisht të rinj, ishin strehuar në malin mbi fshat. Disa orë më vonë forcat serbe i kishin zënë shumicën prej tyre. Për orë të tëra i torturuan mizorisht, duke i lidhur pas drurëve dhe duke i rrahur me shkopinj në të cilët kishin vendosur gozhda hekuri. Në orët e mbrëmjes, në vendin e quajtur “Shulla”, rreth 400 metra në perëndim të fshatit Kotlinë, 22 të rinj ende të gjallë i hodhën në dy puse. Disa orë më vonë ushtria serbe i minoi puset dhe i shkatërroi me eksploziv, për t’i zhdukur gjurmët e krimit. Trupat e pajetë të 22 banorëve të Kotlinës, shumica prej tyre të gjymtuar, u nxorën nga këto puse në shtator të vitit 1999. (Në fotografi: Pamje e fshatit Kotlinë.)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1055–1056.

Fotografia: © https://www.facebook.com/GrykaKacanikut/posts/2552031441495982/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Petrika Riza

Lindi në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës Petrika Riza, aktor.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img