U zhvillua “Masakra e Krushës së Madhe”, masakër e policisë dhe e ushtrisë së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare në fshatin Krushë e Madhe të komunës së Rahovecit. Më 25 mars 1999 policia dhe njësitë e ushtrisë serbe filluan granatimin e fshatit Krushë e Madhe. Të nesërmen, më 26 mars, këto forca hynë në fshat, duke bastisur dhe djegur shtëpitë dhe duke ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët. Meshkujt e veçuar u ndanë në tri grupe: grupin e parë e dërguan në Nagavc, grupin e dytë në xhaminë e Krushës së Madhe dhe grupin e tretë në një kodër jashtë fshatit. Pas rrahjeve dhe keqtrajtimeve të shumta, i ekzekutuan të gjithë dhe, më pas, kufomave të tyre iu vunë zjarrin, ndërsa shtëpinë në të cilën ishte vrarë njëri nga grupet e burrave, e shembën me eksploziv. Me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimit, një pjesë të viktimave u hodhën në lumë, jo shumë larg vendit të krimit. Sulmet, vrasjet dhe masakrimi i popullsisë civile shqiptare në Krushën e Madhe vazhdoi edhe më 27 dhe 28 mars të vitit 1999. Si pasojë e këtyre sulmeve në Krushën e Madhe gjetën vdekjen 243 persona, përfshirë edhe gra, fëmijë dhe pleq. Masakra e Krushës së Madhe është një ndër më të mëdhatë të kryera nga Serbia në Kosovë. (Në fotografi: Kompleksi memorial në Krushë të Madhe.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1056.
Fotografia: © https://www.aa.com.tr/sq/ballkani/
Përpunim grafik: AHCF




