Pas ofensivës njëmujore të forcave serbe (17 dhjetor 1998–17 janar 1999) në Zonën Operative të Dukagjinit u paraqit nevoja për furnizim me armë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transferim të të plagosurve në Shqipëri. Një grup i përbërë prej 96 vetash, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Dukagjinit dhe një njësit i Zonës Operative të Pashtrikut, më 27 janar 1999 u nisën nga Zhebeli në drejtim të Shqipërisë. Tek Ura e Terzive, afër fshatit Bishtazhin të Gjakovës, rreth orës 23:00 ata ranë në pritë të forcave serbe. Gjatë përleshjes u vranë dy pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë. Një pjesë e këtij grupi u kthye për në Jabllanicë, ndërsa 25 luftëtarë të tjerë vazhduan rrugën drejt Shqipërisë, në drejtim të Godenit. Mbi fshatin Goden, në afërsi të kufirit Kosovë–Shqipëri grupi ra në pritë të forcave serbe dhe në përleshje e sipër u vranë 2 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa u plagosën 5 të tjerë. Pas kësaj prite, grupi sërish u kthye në fshatin Goden dhe prej andej arritën në fshatin Rogovë të Hasit, ku zunë strehë në një shtëpi të këtij fshati. Të nesërmen, rreth orës 5:30 të mëngjesit të 29 janarit, gjatë udhëtimit me një furgon, vërejnë pritën tjetër të forcave serbe dhe u kthyen sërish në fshat. Por disa minuta më pas arritën forcat serbe dhe menjëherë filluan të qëllojnë në drejtim të furgonit, ku gjendeshin 18 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shoferi i makinës. Nga të gjithë sa ishin në mjetin transportues, arritën të shpëtojnë vetëm dy ushtarë. Po atë ditë në Rogovë të Hasit u ekzekutuan edhe nëntë civilë të fshatit. Te shumica e të vrarëve u vërejtën shenja të qarta të ekzekutimit dhe të masakrimit të kufomave. (Në fotografi: Memoriali i martirëve në fshatin Rogovë të Hasit.)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1059–1060.
Fotografia: © https://www.dukagjini.com/25-vjet-nga-masakra-ne-rogove-te-hasit/
Përpunim grafik: AHCF




