Mehmet Shehu

Lexo ngjarje:

Në Tiranë u vetëvra Mehmet Shehu, veprimtar i lëvizjes antifashiste e komuniste, një ndër drejtuesit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, funksionar i lartë i shtetit dhe i Partisë së Punës të Shqipërisë, kryeministër, Hero i Popullit. Lindi në Çorrush të Mallakastrës, në vitin 1913. Kreu Shkollën e Mesme Teknike të Tiranës (1932). Më 1935 fitoi bursë për të ndjekur Akademinë Ushtarake në Napoli, por u përjashtua për shkak të veprimtarisë antifashiste. Në verën e vitit 1937 shkoi vullnetar në Spanjë, ku mori pjesë në Brigadën XII ndërkombëtare (1937–1939) dhe u bë anëtar i Partisë Komuniste të Spanjës. Pas largimit të vullnetarëve nga Spanja, në shkurt të vitit 1939, u internua në një kamp përqendrimi në Francë, ku u bë anëtar i Partisë Komuniste Italiane. Në gusht të vitit 1942 u kthye në Shqipëri dhe u lidh me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare; anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare nga viti 1942. Komandant i çetës së parë të Mallakastrës (shkurt 1943), më pas sekretar organizativ i Partisë Komuniste Shqiptare për qarkun e Vlorës. Komandant Brigadës I Sulmuese që me krijimin e saj (gusht 1943). Në Kongresin I Antifashist të Përmetit (maj 1944) u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Në gusht 1944 u emërua komandant i Divizionit I Sulmues. Në vitet 1945–1956 studioi në Akademinë Ushtarake “Voroshilov” në Moskë. Që nga Kongresi I Partisë Komuniste Shqiptare (1948), u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror e i Byrosë Politike dhe u ngarkua me detyra të rëndësishme: shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë (1946–1947), zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme (1948–1954), Kryetar i Këshillit të Ministrave (1954–1981) dhe ministër i Mbrojtjes (nga 27.12.1978). Në fillim të viteve ’80 të shekullit XX, për shkak të acarimit të luftës për pushtet në gjirin e udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë, Mehmet Shehu u vu në shënjestër të goditjes. Si shkak për këtë shërbeu fejesa e të birit të mesëm me një vajzë nga një familje që regjimi e konsideronte me probleme politike. Në një mbledhje të Byrosë Politike, të zhvilluar enkas për të, më 17.12.1981, Mehmet Shehu u kritikua ashpër për zbutje të luftës së klasave, për arrogancë e prepotencë me vartësit dhe për të meta e dobësi në punë. Duke mos qenë në gjendje të përballej me situatën që iu krijua në mbledhje dhe duke parandier pasojat që mund të rezultonin pas saj, siç kishte ndodhur dhe me udhëheqës të tjerë të Partisë së Punës të Shqipërisë, më18 dhjetor kreu vetëvrasje, duke lënë dhe një letër për Enver Hoxhën, në të cilën shpjegon arsyet e këtij akti. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, duke bërë vlerësimet e rastit, Enver Hoxha e cilësoi armik dhe agjent të shumëfishtë, kurse Plenumi i Komitetit Qendror e përjashtoi nga partia (pas vdekjes). Më pas u arrestuan e u dënuan me burgim e shoqja dhe njëri nga djemtë, kurse djali i madh kreu vetëvrasje. (Në fotografi: Mehmet Shehu)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2437.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Mehmet_Shehu

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img